Historiku i Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit
Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit u krijua me VKM Nr. 123 datë 17.02.2010 si pjesë e Universitetit të Sporteve të Tiranës. Ndonëse i themeluar rishtazi, ai është sot një vatër shumë e rëndësishme e kërkimit shkencor, mësimdhënies, akademizmit, inovacionit të vazhdueshëm dhe përgatitjes së specialistëve të fitnesit dhe të turizmit sportiv e të aventurës.
Me krijimin e UST-së do të lindte si domosdoshmëri krijimi, forcimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i FVFR-së si një nga kolonat kryesore mbështetëse të vetë UST-së.
Drejtimi i Fakultetit iu ngarkua Prof. Asc. Dr. Agron Kasës për përvojën e gjatë në drejtim, kërkim shkencor e mësimdhënie. Me emërimin e dekanit Kasa, u komanduan edhe përgjegjësat e 3 departamenteve në strukturën e Fakultetit, përkatësisht:
- Asc. Dr. Yllka Lalazi – Departamenti i Organizim – Menaxhimit.
- Dr. Edison Pashaj – Departamenti i Veprimtarisë Fizike, Rekreative e Turizmit
- Kujtim Haxholli – Departamenti i Lëvizjes dhe Shëndetit.
Prof. Dr. Edison Pashaj do të emërohej zv. Dekan dhe Departamenti i Veprimtarisë Fizike, Rekreative e Turizmit u drejtua në vijim nga Prof. Asc. Dr. Robert Çitozi. Me daljen në pension të Prof. Dr. Edison Pashaj, Prof. Asc. Dr. Robert Çitozi u emërua zv.Dekan.
Fakulteti do të krijonte edhe trupën e tij pedagogjike ndër vite. Nga fillesat me një numër relativisht të vogël lektorësh në përbërjen e saj, kjo trupë numëron sot 30 lektorë me kohë të plotë, dhe mesatarisht 15 lektorë me kohë të pjesshme për vit akademik.
Fakulteti do të ofronte të 3 ciklet e studimit:
- Cikli i Parë i Studimeve Bachelor (3 vjet,180 kredite)
- Cikli i Dytë i Studimeve Master Profesional – Aktiviteti Fizik dhe Rekreacioni -Trajner Fitnesi (1.5 vite, 60 kredite)
- Cikli i Dytë i Studimeve Master Shkencor – Aktiviteti Fizik dhe Shëndeti (2 vjet, 120 kredite)
- Cikli i Tretë i studimeve Doktoraturë – Aktiviteti Fizik dhe Shëndeti (3 vjet )
Në tetor 2010 Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit filloi rrugëtimin e tij me rreth 80 studentët e parë në sistemin me kohë të plotë dhe rreth 60 studentë në ciklin me kohë të pjesshme.
Në janar 2011 Fakulteti për herë të parë organizoi sipas planit mësimor nën drejtimin e Prof. Asc. Dr. Robert Çitozi kursin Sporte Dimërore – Ski në Voskopojë si dhe programin Sporte Ujore – Not , ku për herë të parë u zhvillua Aqua gym (aerobi në ujë), teknikat fillestare të lifeguard-it, vaterpolos, etj. Vlen të theksohet kontributi i jashtëzakonshëm i mjeshtrit të sporteve rekreative të ujit David Papadhopulli i cili erdhi nga Italia për të lënë një gjurmë të pashlyer në kujtesën e studentëve tanë me profesionalizmin e tij. Gjatë këtyre 9 viteve jetë akademike, Fakulteti i Veprimtarive Fizike dhe Rekreacionit ka shkruar një histori suksesi në çdo hap të tij, ndonëse sfidat e rritjes kanë qenë të panumërta.
- Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe me kontributin e drejtorit të saj, z. Auron Tare, 34 studentë të FVFR-së u trajnuan për 10 ditë në Sutamore (Mal i Zi) dhe u çertifikuan si Lifeguard, duke u bërë rojet e para bregdetare në bregdetin shqiptar nga Saranda në Velipojë.
- Fakulteti ka ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer me Agjencinë e Parqeve dhe të Rekreacionit duke organizuar aktivitete me kontribute të përbashkëta.
- Praktikat mësimore janë konsoliduar falë bashkëpunimit të frytshëm me biznesin privat si Qendra Tregtare Ring, Nobis, por dhe me Komitetin Olimpik e agjencitë turistike si Albania Adventure, Albania Tradition, Eco Tour Albania, etj.
- Studentët tanë të Masterit Shkencor morën pjesë aktivisht në Projektin Tempus Speed në Novi Sad (Serbi), Elbasan dhe Tiranë.
- Një grup studentësh në kuadër të programit Erasmus+ vijuan studimet në unversitete homologe evropiane.
- Fakulteti në këto 9 vite ka krijuar dy programe model dhe shumë profesionale siç janë “Sportet Ujore”, tashmë jo në pishina, por në Jalë-Gjipe ku zhvillohet scubadiving, zhytjet apnea, kajaku detar, teknikat e peshkimit relaksues, gjithashtu edhe “Kampingu Malor” në Theth, ku programi i ngjitjeve, i eksplorimit dhe njohjes së itinerareve turistike kanë mbetur në kujtesën e çdo studenti si ngjarje të paharruara në jetën e tyre studentore.
- Kemi krijuar një përvojë shumë domethënëse në zhvillimin e trajtimin e lëndëve të ndryshme në auditor ku është synuar konkretizimi, lidhja e drejtpërdrejtë me shembullin apo modelin. Kjo nuk është vetëm praktika e punës së pedagogëve të brendshëm, por edhe e lektorëve të ftuar, çka garanton standarde të larta mësimdhënieje me metoda të nivelit bashkëkohor.
Zgjedhjet e vitit 2016 formësuan dhe drejtuesit e rinj te Fakultetit:
- Dekan Asc.Dr.Ferdinand Mara.
- Dekan. Prof.Asc.Dr. Ferdinand Canaj.
- Përgjegjës Departamenti Prof.Asc.Dr. Kujtim Haxholli.
- Përgjegjës Departamenti Prof.Asc.Dr. Spartak Bozo.
- Përgjegjës Departamenti Prof.Asc.Dr. Robert Çitozi.
Fakulteti është në një proces intensiv bashkëpunimi me Ministrinë e Punës dhe të Turizmit për miratimin e profesionit të Trajnerit të fitnesit dhe atë të Udhërrëfyesit turistik, si profesione të rregulluara me ligj. Janari 2017 shënon hapin e parë drejt institucionalizimit të diplomës sonë të Masterit Profesional në tregun e punës në drejtimin e Udhërrëfyesit Turistik për Turizmin Sportiv dhe të Aventurës. Ministria e Punës dhe ajo e Turizmit konfirmuan zyrtarisht se diploma jonë ka të gjitha kreditet që u nevojiten studentëve tanë në mbarim të Masterit Profesional për të punuar si Udhërrëfyes Turistikë.
Viti 2016 shënoi dhe hapjen e një programi të ri studimi të ciklit të dytë Master Profesional, “Menaxhim në Sport e Turizëm”. Ky program, produkt i Projektit Tempus Speed dhe i miratuar në Bruksel, është një vlerë e shtuar në kuadrin e vlerave të FVFR-së, si programi i parë publik i akredituar nga ASCAAL për një periudhë 5-vjeçare. Në vitin 2017 filluan studimet në këtë program të ri dhe 16 studentët e parë u diplomuan me sukses në përfundim të atij viti akademik.
Pas disa ndryshimeve në autoritetet drejtuese në vitin 2018, si emërimi i Prof. Asc. Dr. Robert Çitozit në detyrën e Zv/Rektorit të UST-së, daljes në pension të Prof. Asc. Dr. Kujtim Haxhollit nga FVFR, etj., autoritetet drejtuese janë si më poshtë:
- Dekan Asc. Dr. Ferdinand Mara.
- Dekan. Doc. Anduela Lile.
- Përgjegjës Departamenti Prof. Asc. Dr. Spartak Bozo.
- Përgjegjës Departamenti Dr. Elton Spahiu.
- Përgjegjës Departamenti Msc. Surven Metolli
Fakulteti ka punuar në drejtim të konsolidimit të programeve, syllabeve, rregulloret e programeve, eksperiencat e testimit dhe te vlerësimit të dijeve duke plotësuar me sukses standardet e cilësisë së brendshme me parametra të një Fakulteti evropian.
Fakulteti ka konsoliduar gjatë këtyre 9 viteve marrëdhëniet me partnerë ndërkombëtarë si:
- University Aurel Vlaicu of Arad, Rumani
- Western University of Hungary, Hungari
- University Ataturk Erzurum Turkie, Turqi
- Kapodistrian University of Athens, Greqi
- University of Zagreb, Faculty of Kinesiology, Kroaci
- Network-un INSHS me qendër në Szombathely, Hungari
- Marrëveshja me Poliklinikën Gjermane për mbështetjen e praktikave mësimore në fushën e rehabilitimit sportiv
- Marrëveshja e bashkëpunimit me Federatën e Rafting
Në kuadër të programit ERASMUS + , në shkurt 2018 për një periudhe 5-ditore lektorët e ftuar nga Universiteti i Aradit, Phd. Vasile Leviu Adrei dhe Phd. Bitang Viorel Virgin Ioan kanë mbajtur leksione në FVFR. Në vijim të këtij bashkëpunimi të efektshëm, Prof. Asc. Ferdinand Mara, Prof. Asc. Robert Çitozi, Prof. Asc. Spartak Bozo, Dr. Elton Spahiu, Msc. Lumtor Shkreli kanë marrë pjesë në konferencat dhe simpoziumet shkencore të organizuara nga Universiteti i Aradit. Dekani, Prof. Asc. Ferdinand Mara u ftua të mbajë një cikël leksionesh me studentët e ciklit të studimit bachelor, master dhe doktoral të Universitetit të Aradit, po në kuadër të programit ERASMUS +.
Aktualisht, në vijim të ciklit të parë të studimeve, FVFR ofron vazhdimin e studimeve në profilet:
- Menaxhim Sporti dhe Turizëm (Master Profesional, 1 vit, 60 Kredite).
Mundësitë e punësimit: Menaxher në agjenci turistike, resorte, menaxher në kompani sportive publike dhe private, administratën publike në sektorët e turizmit, sportit dhe menaxhimit; marketing dhe promocion të eventeve; organizma shtetërore sportive dhe turistike (federatat, qendrat sportive, agjencitë shtetërore të turizmit, etj.)
- Aktivitet Fizik dhe Rekreacioni – Trajner Fitness (Master Profesional, 1 vit, 60 Kredite).
Mundësitë e punësimit: Instruktor fitnesi; rehabilitim (për probleme të strukturës trupore dhe shëndetësore); trajner personal; guida profesionale; organizatorë eventesh për turizëm dhe sport; specialist të aktivitetit fizik dhe aktiviteteve rekreative.
- Aktivitet Fizik dhe Shëndet (Master Shkencor, 2 vite, 120 Kredite).
Mundësitë e punësimit: Lektor në institucionet e arsimit të lartë në fushat e aktivitetit fizik dhe shëndetit; specialist në fushat e sportit, turizmit, aktivitetit fizik dhe shëndetit, etj.
Fakulteti gjatë viteve ka pasuruar bazën materiale, ka pajisur laboratorët me pajisje bashkëkohore dhe ka sot një palestër fitnesi të kompletuar e me kushte shumë të mira për mësim praktik.
Pedagogët marrin pjesë sistematikisht në konferenca e kongrese ndërkombëtare duke zgjeruar sferën e tyre të komunikimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës me homologë nga e gjithë bota. Një numër pedagogësh janë angazhuar në realizimin e mbi 20 emisioneve televizive promovuese për Fakultetin duke i dhënë atij vendin që meriton, si dhe duke sensibilizuar maturantët që të zgjedhin Fakultetin tonë si një diplomë të sigurtë nesër në tregun e punës.
Jeta sportive në Fakultet është aktive dhe studentët tanë marrin pjesë rregullisht në aktivitete rekreative e sportive si veprimtari të domosdoshme në jetën studentore.